Jo më burg gjatë procesit/ Avokati: Veprim i vonuar, por i shumëpritur! Do frenohet korrupsioni në gjyqësor

TIRANË- Dhomat e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të marrin një vendim unifikues në prill, pas kërkesës së kreut të Gjykatës së Lartë, që të rishqyrtohen praktikat aktuale të gjykatave shqiptare, të cilat, me kërkesë të prokurorive, vendosin kryesisht t’i lënë në qeli apo arrest shtëpie shumicën e të pandehurve.
Nëse Gjykata e Lartë do marrë këtë vendim, shumë të paraburgosur mund të fitojnë lirinë dhe të gjykohen kështu deri në marrjen e vendimit të formës së prerë. Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në “Tirana Live” u shpreh se janë bërë vonesa të shumta për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Ai theksoi se numri i të paraburgosurve është më i lartë se ata që janë dënuar me vendim të formës së prerës, dhe ky realitet tha ai duhet të ndryshojë sa më parë. Sipas avokatit, të dhënat mbi numrin e të paraburgosurve tregojnë se sistemi gjyqësor është në anormalitet të plotë.
“Jemi shumë të vonuar për shqyrtimin e çështjes. Ne kemi më shumë të paraburgosur se ata të dënuar me burg. Ky është një anormalitet dhe një çrregullim i sistemit gjyqësor. Nismë shumë e mirë, është mjaft e shumëpritur. Masa “arrest me burg” jepet në situata të jashtëzakonshme. Kolegjet e bashkuara në atë vendim unifikues duhet t’i përcaktojnë gjërat e sakta. Nuk u duhet lënë hapësirë prokurorëve për keqinterpretime. Një i burgosur i kushton 300 euro në ditë shtetit shqiptar. Do të frenojë dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Korrupsioni në sistemin gjyqësor bëhet kryesisht te masat e sigurimit”, tha ai.
Avokati komentoi dhe qëndrimin e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i cili nuk lejoi heqjen e imunitetit, të kërkuar nga SPAK, për deputeten Belinda Balluku. Sipas tij, Partia Socialiste mbajti qëndrim korrekt dhe respektoi plotësisht Kushtetutën e Shqipërisë.
“Një qëndrim kushtetues. Respektoi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet të mbyllë sytë. Qëndrimi që mbajti grupi i PS, për të mos e lëshuar imunitet, është një shuplakë që i jepet SPAK, i cili tregoi zell të tepruar jo vetëm për Ballukun, por edhe krerët e tjerë të PS”, tha ai.




