Kanosën dhe dhunuan një 35-vjeçar në Vlorë, arrestohen 3 autorë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Vlorës, ku tre shtetas janë arrestuar në flagrancë pasi kanosën me armë dhe dhunuan një 35-vjeçar.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, ku autorët dyshohet se kanë kërcënuar me pistoletë sportive shtetasin L. S., 35 vjeç, ndërkohë që ai ndodhej brenda automjetit të tij. Më pas, ata kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga makina, duke e goditur me grushte dhe me tytën e armës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i tre autorëve të dyshuar:
- Xh. I., 31 vjeç
- K. H., 34 vjeç
- M. Z., 20 vjeç
Të tre janë banues në Vlorë.
I dëmtuari është transportuar në spital, ku po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në një automjet në pronësi të babait të njërit prej të arrestuarve, policia gjeti të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur në ngjarje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma dhe dy automjete, përfshirë edhe mjetin me të cilin autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.




