Kanosën gazetarin Osman Stafa në aksin Librazhd–Elbasan, procedohen penalisht dy persona

Policia e Elbasanit ka nisur procedim penal ndaj dy shtetasve, të dyshuar për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, pas një denoncimi të bërë nga gazetari Osman Stafa.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e para hetimore dhe proceduan penalisht shtetasit R. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd.
Ngjarja ka ndodhur më 17 korrik 2026, rreth orës 14:00, kur gazetari Osman Stafa ka njoftuar Sallën Operative të Policisë se, gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, ishte ndjerë i kanosur nga dy persona që udhëtonin me një automjet.
Pas administrimit të provave dhe kryerjes së veprimeve të para hetimore, Policia vendosi nisjen e procedimit penal ndaj dy të dyshuarve për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.




