Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë në Itali, pasi akuzohen për vrasjen e 36-vjeçarit, Elson Kalaveri.
36-vjeçari banonte në Siena dhe u vra më 18 gusht të 2022. Në lidhje me këtë ngjarje kanë rënë në pranga 5 persona, 3 italianë dhe dy shqiptarë, të cilët akuzohen se kanë organizuar dhe më pas vrarë Elson Kalaverin.
Ndalimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Kanuni”, pasi mediat italiane raportojnë se edhe vrasja ka ndodhur si pasojë e një riti zakonor shqiptar për të marrë gjakun e të afërmve.
Elson Kalaveri, një 32 vjeçar nga Thumana, është ekzekutuar me armë zjarri në Itali. Ai u gjet i vdekur në Sasso Pisano, një fshat i komunës Castelnuovo Vai di Cecina, në provincën e Pizës. Elson Kalaveri ndodhej në një makinë që drejtohej nga një person tjetër, kur u qëllua me breshëri plumbash.
Mediat e huaja shkruajnë se Kalaveriut iu bë prit dhe se ngjarja kishte ndodhur për hakmarrje. Autori kryesor dhe organizator dyshohet Shkëlzen Kaçi, i cili ka marrë hakun e vëllait pas 8 vitesh, pasi në 2014, Elson Kalaveri plagosi rëndë Gent Keçin.
Kush ishte Elson Kalaveri – Ngjarja në vitin 2014
Rreth orës 00:45, Elson Kalaveri ka hyrë i armatosur në postën e policisë së Mamurrasit. Mësohet se i riu atë kohë ndali hapin tek blutë për të denoncuar fqinjin e tij, Gent Keçi. Në këtë moment ka hyrë tek posta e policisë dhe 36-vjeçari Keçi. Dy personat në fjalë kanë debatuar ashpër në prezencë të punonjësve të policisë.
Kalaveri, duke menduar se fqinji i tij ishte i armatosur, ka nxjerrë pistoletën që e mbante me vete dhe ia ka vënë në ballë. Në çast ai e ka qëlluar atë me plumb në kokë duke e plagosur rëndë. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Policia i ka vënë prangat autorit, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Në njoftimin zyrtar, policia e Kurbinit ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në qytetin e Mamurrasit dhe jo brenda postës së policisë së këtij qyteti. Gent Keçi, fqinj i Elson Kalaverit arriti të shpëtonte.