Kapet duke bërë xhiro me automjetin e sapo vjedhur në Tiranë

Tiranë – Vijojnë goditjet ndaj veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 35-vjeçar që kishte vjedhur një automjet në zonën e Yrshekut dhe u kap pak më vonë, duke e drejtuar atë në rrugët e kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas marrjes së informacionit për vjedhjen e një automjeti, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat, u arrestua shtetasi D. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në Rrugën e Qelqit, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit M. E., që dyshohet se e kishte vjedhur në oborrin e banesës së tij.
Automjeti i vjedhur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.




