Kapet në Kakavijë 34-vjeçari nga Fieri, i kërkuar për trafik droge, i dënuar me mbi 3 vite burg

Kakavijë – Policia Kufitare, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ka vënë në pranga një 34-vjeçar nga Fieri, i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Xh. Z., u ndalua në hyrje të territorit shqiptar, gjatë kontrolleve rutinë dhe shkëmbimit të informacioneve mes strukturave policore. Ai rezulton i dënuar me 3 vjet, 3 muaj e 27 ditë burgim me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Vlorë, më datë 22.12.2016.
Pas arrestimit, i kërkuari iu dorëzua Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia Kufitare dhe strukturat e sigurisë vijojnë angazhimin për të goditur paligjshmërinë dhe për të ndaluar personat e shpallur në kërkim.