KATASTROFË NË VENEZUELË/ Dy tërmete brenda 39 sekondash, dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur

Dy tërmete shumë të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë goditën Venezuela të mërkurën, duke shkaktuar shembje ndërtesash, dëme të mëdha materiale dhe panik te banorët, veçanërisht në kryeqytetin Caracas.
Sipas autoriteteve, deri tani janë konfirmuar 32 viktima dhe mbi 700 persona të plagosur, ndërsa bilanci i të prekurve pritet të rritet në orët në vijim.
Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend dhe njoftoi se aeroporti ndërkombëtar që shërben për Karakasin ka pësuar dëme të rënda. Për pasojë, aktiviteti i aeroportit është pezulluar deri në një njoftim të dytë.
Rodríguez shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa autoritetet vendosën gjithashtu pezullimin e mësimit në shkolla dhe ndërprerjen e përkohshme të shërbimit hekurudhor.
Sipas United States Geological Survey, lëkundja e parë sizmike me magnitudë 7.2 u regjistrua në orën 18:04 sipas kohës lokale, në një thellësi prej 21.9 kilometrash dhe rreth 200 kilometra në perëndim të Karakasit.
Vetëm 39 sekonda më vonë, një tërmet i dytë me magnitudë 7.5 goditi të njëjtën zonë, në një thellësi prej 10 kilometrash dhe rreth 45 kilometra larg epiqendrës së parë. Pas dy goditjeve kryesore janë regjistruar edhe rreth 20 pasgoditje të forta.
Në Caracas, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacionet pranë ndërtesave të shembura. Sipas raportimeve nga terreni, shumë persona janë nxjerrë nga rrënojat me barela, ndërsa të tjerë janë transportuar me urgjencë drejt spitaleve.




