Kërcënim për sulm me bombë në Fier, evakuohen dy institucione të drejtësisë
FIER – Një mesazh kërcënues për vendosjen e një bombe ka vënë në alarm autoritetet në Fier, duke çuar në evakuimin e godinave të Gjykatës dhe Prokurorisë.
Pas marrjes së mesazhit, punonjësit e institucioneve dhe qytetarët që ndodheshin brenda ambienteve janë larguar për arsye sigurie. Ndërkohë, forcat e Policisë kanë mbërritur në zonë dhe kanë marrë masa për sigurimin e perimetrit.
Sipas të dhënave paraprake, mesazhi është dërguar në rrugë elektronike nga një llogari me emër në gjuhën arabe. Në përmbajtjen e tij pretendohet se në ndërtesë është vendosur një mjet shpërthyes dhe kërcënohet për sulme të tjera në territorin e vendit.
Mesazhi përmban gjithashtu referenca me përmbajtje ekstremiste, çka ka shtuar vëmendjen e autoriteteve ndaj këtij rasti.
Aktualisht, kontrollet vijojnë për të verifikuar nëse kërcënimi ka bazë reale. Paralelisht, po punohet për identifikimin e burimit të mesazhit dhe personave që mund të qëndrojnë pas tij.
Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për gjetjen e ndonjë mjeti shpërthyes. Pritet që autoritetet të bëjnë të ditura rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren.




