Kërkon lirimin me kusht/ Sot seancë në Gjykatën e Fierit për Ervin Salianjin, pritet raporti i Shërbimit të Provës

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, sot në orën 11:00, do të zhvillohet seanca gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Në këtë seancë, pritet të paraqitet raporti i Shërbimit të Provës, i cili do të jetë vendimtar për trupin gjykues – i përbërë nga gjyqtari Noel Veizi dhe prokurori Genci Mane – për të vendosur nëse do të pranohet apo jo kërkesa për lirim me kusht.
Avokati mbrojtës i Salianjit, Ledio Brahio, ka deklaruar se në seancën e kaluar raporti i vlerësimit nga IEVP ka rezultuar pozitiv. Ndërkohë, vetë Salianji ka theksuar se është viktimë e një procesi të montuar politik, duke u dënuar për kallëzim të rremë në çështjen e njohur si “Babale”.
Salianji ndodhet në qeli prej tetorit të vitit 2024, pas vendimit të Gjykatës së Apelit më 26 shtator, e cila la në fuqi dënimin me 1 vit burg. Ai ka përmbushur tashmë dy të tretat e dënimit dhe kërkon lirimin me kusht.
Seanca e sotme konsiderohet vendimtare, pasi do të përcaktojë nëse ish-deputeti do të lirohet apo do të rikthehet në qeli për të vijuar pjesën e mbetur të dënimit.




