Koha e udhëtimit zvogëlohet, Athina–Shqipëri tashmë më pak se 5 orë

Kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e aksit të ri rrugor Janinë–Kakavijë, një projekt strategjik që pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit mes Athinës dhe Shqipërisë, duke e çuar atë në më pak se 5 orë.
Në terren kanë filluar punimet përgatitore, të cilat përfshijnë pastrimin e zonës nga bimësia, ndërhyrje tokësore dhe nivelimin e terrenit me mjete të rënda, duke shënuar kështu nisjen konkrete të ndërtimit të rrugës së re.
Kontrata për realizimin e projektit, me një vlerë prej 310 milionë euro (me TVSH), është firmosur në dhjetor të vitit 2024. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Infrastrukturës në Greqi, Dimitris Anagnopulos, punimet pritet të përfundojnë brenda 4 viteve.
Aksi Janinë–Kakavijë konsiderohet një investim kyç për rritjen e sigurisë rrugore dhe për forcimin e lidhjeve mes Greqisë, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit ekonomik dhe turistik të rajonit.




