Kolaudimi i makinave, rregulla të reja nga viti 2026: Kontroll i detyrueshëm pas çdo ndryshimi pronësie

Rregullat për kolaudimin e mjeteve rrugore në Shqipëri do të ndryshojnë ndjeshëm duke nisur nga 1 dhjetori 2026. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare, kontrolli teknik do të jetë i detyrueshëm pas çdo ndryshimi të pronarit të automjetit.
Sipas udhëzimit të ri, pavarësisht datës së kolaudimit të fundit, autoriteti kompetent do të ketë të drejtë të kërkojë një kontroll teknik të ri në momentin e ndryshimit të titullarit të certifikatës së regjistrimit. I njëjti detyrim do të zbatohet edhe për automjetet që kanë përshkuar mbi 160 mijë kilometra, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe verifikimin më rigoroz të gjendjes teknike të mjeteve.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit me vendet e Bashkimit Evropian, përmes shkëmbimit të informacionit mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe të dhënat e odometrit. Autoritetet shqiptare do të përdorin, kur është e zbatueshme, platformën e Komisionit Evropian për këtë qëllim.
Përmes këtyre platformave, inspektorët e qendrave të kolaudimit, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve do të kenë akses edhe në historikun e aksidenteve dhe elementët e sigurisë së automjeteve, veçanërisht për mjetet e përfshira në ngjarje rrugore.
Udhëzimi parashikon gjithashtu ndryshime strukturore në kategorizimin e mjeteve, duke synuar përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë rrugore.




