Koncerti i Enrique Iglesias, biletat arrijnë deri në 2 mijë euro/paketa, mbi 300 euro/person
Ndjekja e një artisti ndërkombëtar ka kostot e veta, për të gjithë ata që duan të kenë një përvojë unike.
Teksa në Shqipëri po shtohen artistët që japin koncerte, çmimet e biletave po u afrohen niveleve globale.
Në datën 30 qershor do të zhvillohet koncerti i këngëtarit spanjoll Enrique Iglesias në Sheshin Skënderbej, në kuadër të javës spanjolle të kulturës.
Biletat për koncertin e tij fillojnë nga 28 euro në zonën e fundit, në zonën e bronzit janë 90 euro, në atë platinium 99 euro, në zonën e artë 123 euro, atë të argjendtë 62 euro.
Më të shtrenjtat janë paketat VIP. “VIP GOLD ZONE B 1st Row Table” kushton 900 euro dhe ka katër përfitime: 20% zbritje për koncertin e Ricky Martin në datën 20 korrik, përfshin hyrje me bileta VIP gold për 4 persona, 1 shishe alkool (përjashtuar shmpanjën) dhe VIP PASS. Çmimi mesatar i biletës për një person në këtë paketë arrin në 225 euro (900/4).
Rekordin e mban paketa Vip Gold zona A, me 2 mijë euro, që ka katër përfitime: 20% zbritje për koncertin e Ricky Martin në datën 20 korrik, përfshin hyrje me bileta VIP gold për 6 persona, dy shishe alkool (përjashtuar shampanjën) dhe VIP PASS. Çmimi mesatar i biletës për person arrin në rreth 330 euro.
Me përjashtim të biletave në rreshtin e fundit prej 28 euro, çmimet e tjera janë të njëjtat me ato që kanë artistët e tjerë në botë, ku minimalisht fillon nga 60-80 euro/dollarë dhe arrin në 400 euro për vendet afër skenës.
P.sh., një biletë për koncertin e ardhshëm të Taylor Swift në Melburn të Australisë kushton sipas mediave midis 80 dhe 380 dollarë. Ajo ofron gjithashtu “paketa VIP” që kushtojnë 350 deri në 1249 dollarë, që përfshijnë postera, xhingla dhe një çantë – përveç një bilete. Në Mbretërinë e Bashkuar fillojnë nga 95 paund.
Për koncertin e Beyoncé në Londër, biletat për shfaqjen fillojnë nga 89,00 dollarë për vendet e fundit deri në 1000 dollarë/biletë. Në Paris kushtojnë mesatarisht 103 dollarë.
Biletat nuk shiten aq shpejt
Ndërsa shfaqjet e artistëve në botë shiten menjëherë pavarësisht çmimit të shtrenjtë, – dhe në tregun e rishitjes arrijnë edhe mbi 10 mijë euro për shkak të kërkesës së lartë, – në Shqipëri biletat e shtrenjta duket se stepin dashamirësit e muzikës.
Një ditë përpara koncertit në faqen e bkstage.io/, që shet bileta online për koncertin e Enrique Iglesias kishte bileta të disponueshme për t’u blerë në të gjitha zonat. P.sh., për zonën Vip Gold B2, që kushton 800 euro ka akoma 40 bileta të vlefshme. Për VIP Gold Zone A, që kushton 2000 euro ka 10 bileta të vlefshme. Për Vip Gold Zone B, që kushton 900 euro ka 39 bileta të vlefshme, sipas faqes bkstage.io/.
Çmimet e Enrique Iglesias janë shumë më të shtrenjta sesa të këngëtares shqiptare Elvana Gjata, që i kishte mesatarisht 2-2500 lekë (rreth 20 euro) deri në 10 mijë lekë (rreth 90 euro) për zonat VIP, teksa kjo e fundit arriti që të mbushte një stadium të tërë./Monitor,al