Konflikt në Zharrëz të Patosit, një i plagosur me kaçavidë pas sherrit mes tre personave

Patos – Një konflikt i ndodhur paraditen e sotme në fshatin Zharrëz të Patosit ka përfunduar me plagosjen e një 35-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, ku pas një sherri mes tre personave, njëri prej tyre është goditur me mjet prerës (kaçavidë).
Sipas informacioneve paraprake nga policia, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta mes shtetasve Dh. N., 68 vjeç dhe A. N., 35 vjeç (babë e bir), të cilët kanë goditur me grushte shtetasin Dh. G., 60 vjeç. Ky i fundit ka reaguar duke goditur me kaçavidë 35-vjeçarin A. N., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, shtetasit M. G. dhe Dh. G. janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ku po kryhen veprimet hetimore dhe procedurale.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.