Kontrata e lobimit të PD në SHBA, Petraj: Ka elementë të paligjshëm – Noka do thirret nga SPAK. Gjikondi: Të hetohet garantuesi Nuredin Seci

Çështja e kontratës së lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara po merr përmasa të reja ligjore, ndërsa dy juristë të njohur, Edmond Petraj dhe Brizida Gjikondi, kanë ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë e saj.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, avokati Edmond Petraj deklaroi se kontrata e firmosur nga Flamur Noka përfaqëson elementë të mundshëm shkeljesh ligjore dhe se ky i fundit pritet të thirret nga SPAK për të dhënë shpjegime. Petraj tha se shuma e përdorur për lobim, 750 mijë dollarë, është shumë më e madhe se fondet që PD ka marrë nga KQZ për fushatën zgjedhore dhe kërkon transparencë të plotë mbi burimin e saj.
“Kontrata në dukje nuk është e paprekshme. Disa elementë i kemi kapur. 750 mijë dollarë janë shumë për t’u nisur drejt Amerikës. Flamur Noka do të thirret nga SPAK për këtë firmë”, u shpreh Petraj.
Ndërkohë, juristja Brizida Gjikondi i kërkoi SPAK të hetojë edhe personin që ka garantuar kontratën 6 milionë dollarëshe, shtetasin Nuredin Seci, për të cilin theksoi se ka dy shtetësi dhe përfshirja e tij në këtë marrëveshje duhet të kalojë në filtër ligjor.
Hetimet për këtë çështje pritet të intensifikohen në ditët në vijim, teksa SPAK do të kërkojë më shumë prova dhe dokumentacion mbi marrëveshjen lobuese të PD-së në SHBA.