Kontrolle të rrepta në kufi/ Goditen dy raste në PKK Muriqan: arrestohen dy persona për drogë, procedohet një shtetas për mosdeklarim parash
Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan kanë goditur dy raste të paligjshmërisë gjatë 12 orëve të fundit, që lidhen me trafikim të lëndëve narkotike dhe mosdeklarim të të hollave në kufi.
Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje dhe dalje të territorit të Shqipërisë, policia ka sekuestruar rreth 4.2 kilogramë kanabis dhe një shumë prej 38 mijë eurosh.
Në rastin e parë, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin polak W. C., 49 vjeç. Gjatë kontrollit fizik në hyrje të vendit, atij iu gjetën 30 mijë euro të padeklaruara sipas ligjit, ndërsa në çantën e dorës mbante edhe 8 mijë euro të tjera.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit A. Sh., 42 vjeç, dhe E. K., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në dalje të vendit, në automjetin me të cilin ata udhëtonin, shërbimet e Policisë Kufitare në Muriqan gjetën të fshehura 8 qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 4.2 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se lënda narkotike ishte blerë në Gjermani dhe po transportohej nga dy shtetasit e arrestuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.




