Korridori 8 ‘nënshkruhet’ si rrugë e NATO-s dhe e BE-së: Shqipëria, Italia, Bullgaria e MV nënshkruajnë dokumentin
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nënshkroi gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington, Letrën e Qëllimit për Sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit VIII pan-Evropian, me homologët e tij të Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Përmes këtij dokumenti, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e fleksibilitetit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të implementimit të agjendës së NATO-s për shkurajimin dhe mbrojtjen në zonën euroatlantike.
Një angazhim i tillë do të shërbejë jo vetëm për misionet NATO, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Evropian. Në thelb ky dokument i firmosur u jep mundësi trupave ushtarake NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, nëse do të jetë e nevojshme.
Ideja për të patur një dokument të tillë, i cili do të garantojë lëvizshmërinë përgjatë vendeve që preken nga Korridori VIII pan-Evropian është propozuar nga Shqipëria, e cila drejtoi të gjithë procesin e negocimit dhe koordinimit. Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, përgjatë të gjithë procesit ndërvepruan dhe u angazhuan për ta finalizuar këtë nismë gjatë punimeve të Samitit të Uashingtonit.
Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit vjen në mbështetje të vizionit që Shqipëria ka për Korridorin VIII si edhe të master-projektit për ndërtimin e Bazës Detare NATO në Porto Romano, që do të shërbejë si porta kryesore hyrëse në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Detin e Zi.
Korridori VIII është konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe pasagjerëve midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore. Ai nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Elbasanit, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.