KQZ vijon me përgatitjen e fletëve të votimit për diasporën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon me intensitet përgatitjen e fletëve të votimit për votuesit nga jashtë.
Ky proces ka nisur dy ditë më parë në Parkun Olimpik “Feti Borova” ku KQZ po përgatit dhe vulos fletët e votimit për zgjedhësit shqiptarë jashtë vendit dhe që do të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 11 maj 2025.
I gjithë procesi zhvillohet në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas, përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore dhe medias si dhe transmetohet drejtpërdrejt në Youtube – KQZ Shqipëri.
Gjatë fazës së parë kryhet vulosja e fletëve të votimit sipas qarqeve zgjedhore dhe vendosja e tyre në zarfin “A”, që përmban vetëm fletën e votimit. Më tej, këto zarfe 4 vendosen në zarfat e jashtëm të KQZ dhe në zarfin përfundimtar të operatorit të shërbimit postar që do t’i shpërndajë ato jashtë Shqipërisë.
Fletët e votimit do të mbërrijnë në Europë nga data 15 deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15 deri më 25 prill.
Pasi zgjedhësi nga jashtë do të marrë zarfin me fletën e votimit do ta dërgojë atë në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ.