Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, në Forumin Kombëtar Urban në Azerbajxhan

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, po merr pjesë në Forumin Kombëtar Urban që po zhvillohet në Azerbajxhan, në rajonin e Karabakut, një zonë që deri para pak vitesh ishte arenë konfliktesh mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Forumi, i organizuar me mbështetjen e Qeverisë së Azerbajxhanit dhe UN-Habitat (OKB), ka në qendër transformimin e jashtëzakonshëm urban dhe rindërtimin e Karabakut, i cili tashmë është shndërruar në një nga kantieret më të mëdha ndërtimore të rajonit.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar po diskutohen projektet e zhvillimit urban, arkitekturës moderne dhe qyteteve të qëndrueshme, duke sjellë së bashku kryetarë bashkish, arkitektë, urbanistë dhe studio të njohura projektimi nga vende të ndryshme të botës.

Subashi ka falënderuar Qeverinë e Azerbajxhanit dhe veçanërisht Ambasadorin e Azerbajxhanit në Tiranë, z. Anar Huseynov, për ftesën dhe mundësinë e pjesëmarrjes në këtë forum frymëzues që synon shkëmbimin e përvojave dhe ideve për ndërtimin e qyteteve më të zhvilluara e të banueshme.














