Kthjellime dhe vranësira të pakta, si do jenë temperaturat sot
Shqipëria
Deri në mesditë i gjithë territori i vendit do të paraqitet nën dominimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të pakta, ku më të theksuara kthjellimet do të jenë përgjatë vijës bregdetare. Parashikohet që orët e pasdites dhe në vijim të sjellin alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta nëpër të gjithë vendin ku më të dukshme vranësirat do të jenë në zonat malore veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore.
Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -3°C deri në 14°C. Era do të fryjë mesatare me shpejtësi 35-40 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të krijohet dallgëzim deri në 2 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës do të vijojë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme përgjatë paradites ku dominuese do të jenë intervalet e gjata me kthjellime. Ndërsa pritet që në pjesën e dytë të ditës vranësirat gradualisht të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin e Kosovës megjithatë nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstreme ditore duke u luhatur nga -6°C minimalja deri në 7°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor.
Maqedonia e Veriut
Territori i MV do të vijojë nën mbizotërimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta e kalimtare ku kthjellimet do të jenë më të dukshme gjatë orëve të paradites; kryesisht në zonat Jugore dhe Perëndimore. Ndërsa pas mesdite parashikohet që vranësirat të shfaqen si fillim në veri-veriperëndim dhe gradualisht në të gjithë vendin, ku më të fokusuara pritet të jenë në zonat Verilindore të MV. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit regjistrojnë -6 gradë C dhe në mesditë do të ngjiten deri në 7 gradë C. Era do të fryjë mesatare paradite por forcohet pasdite duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 45 km/h nga drejtimi permanent Verior.
Europa
Zhvillimi i dy qendrave të fuqishme ciklonare përkatësisht në Veri – Veriperëndim të Europës me ndikim deri në qendër të kontinentit do të diktojë kushte të paqëndrueshme atmosferike në rajonin e Balltikut si edhe pjesërisht Europën Qendrore duke sjellë vranësira dhe reshje shiu e dëbore, shoqëruar herë pas here me stuhi të forta ere. Ndërkohë, ishujt britanikë do të paraqiten me vranësira, shira dhe mini-stuhi të forta ere. Për sa i përket Skandinavisë, gadishulli Iberik si edhe gadishullit i Ballkanit do të paraqiten nën ndikimin e motit të kthjellët por të ftohtë.