Kuestori i Romës Roberto Massucci vizitë në Policinë e Shtetit: Forcohet bashkëpunimi kundër krimit të organizuar

Kuestori i Romës dhe Drejtori i Policisë së Kryeqytetit italian, z. Roberto Massucci, zhvilloi mesditën e sotme një vizitë zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, si dhe nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit, Kuestori Massucci falënderoi për pritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë dhe të qëndrueshëm mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane, duke e cilësuar atë si thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda theksoi se Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët italianë dhe ndërkombëtarë, duke e konsideruar bashkëpunimin me Policinë italiane si një model suksesi. Ai nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit, krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale, si dhe realizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave profesionale.

Gjatë takimit u shkëmbyen gjithashtu eksperienca mbi menaxhimin e situatave të ndryshme të sigurisë, u vlerësua roli dhe mbështetja e ambasadës italiane në Tiranë dhe u dakordësua forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë zgjerimin e bashkëpunimit edhe me Kuesturën e Romës.




