Kurbin – Laç: Zbardhet dinamika e plagosjes së 5 personave, arrestohen dy autorët

Policia e Kurbinit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Laçit, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbetën të plagosur pesë shtetas. Pas një pune intensive hetimore dhe operacionale, janë vënë në pranga dy autorët e dyshuar, D. Gj., 27 vjeç (i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi mbeti i plagosur gjatë përplasjes) dhe K. N., 28 vjeç.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:27 të datës 3 maj 2025, pas një konflikti të nisur për motive të dobëta, konkretisht një aksident rrugor me dëme të vogla materiale. Debati mes të rinjve ka përshkallëzuar në përdorim armësh zjarri, ku janë përdorur dy pistoleta dhe një armë e ftohtë (përforcues grushti).
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri, një armë e ftohtë dhe dy automjete të përfshira në ngjarje. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore. Autorët do të përballen me akuzat për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.