LAJM I FUNDIT/ Aksident i frikshëm me 8 viktima në Këlcyrë. Tentoi t’i ikë policisë.
Një aksident i rëndë me 8 viktima ka ndodhur aksin rrugor Këlcyrë- Përmet.
Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm, 2 prill, kur një mjet me emigrantë të paligjshëm është aksidentuar dhe për pasojë kanë humbur jetën 7 klandestinët, si edhe drejtuesi i mjetit nga Shkodra.
Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, por burime bëjnë me dije se mjeti me emigrantë të paligjshëm është pikasur nga patrulla policore duke shtuar shpejtësinë për t’i ikur policisë.
Drejtuesi ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosa në fshatin Kuqar, duke u marrë jetën të 8 personave që gjendeshin brenda.
Njoftimi i policisë:
Këlcyrë/Informacion paraprak
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.