LAJM I FUNDIT/ Prangosja e Laert Haxhiut në Janinë, media greke: Policia i bëri shenjë të ndalonte, BMW X5 shtoi gazin dhe mori përpara 3 makina të tjera!
Laert Haxhiu, 31 vjeçari nga Shqipëria që rezultonte me “alarm të kuq” në databazën e Interpol, është prangosur mbrëmjen e së hënës në Janinë. Ai mësohet se ka qenë nën shoqërinë e dy personave të tjerë, një shqiptar dhe një grek.
Protothema.gr shkruan se i riu shqiptar po udhëtonte me një makinë BMW X5 nga Janina në drejtim të Athinës. Një moment, ata janë ndeshur me një patrullë policie e cila u ka bërë shenjë të ndalonin.
Në këtë moment, sipas informacioneve nga vendi fqinj, mjeti ka shtuar gazin dhe në tentativë për t’u larguar ka marrë përpara dhe tre makina të tjera. Shoferi ka humbur kontrollin dhe në fund ka përfunduar në një bordurë, ku është çarë një nga gomat dhe është hapur sistemi i airbag-ve.
Të tre personat që ndodheshin në të e kanë pasur të pamundur të largohen dhe janë arrestuar.
Përsa i përket shoferit të mjetit, media greke shkruan se ai kishte ardhur pikërisht nga Athina për të marrë Laert Haxhiun dhe shqiptarin tjetër që ishte më të, pasi këta dy të fundit sapo kishin kaluar kufirin ilegalisht.
Dyshimet janë se 31 vjeçari ka qenë gjatë gjithë kohës i fshehur në Shqipëri dhe ditët e fundit kishte kaluar kufirin drejt Greqisë.
Dy vite më parë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burg përjetë Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa në kërkim ishte dhe Laert Haxhiu. Këta tre persona janë shpallur fajtorë si autorë të ngjarjes së ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, ku mbetën të vdekur Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu.
Atentati i 2017-ës, i cili mori emrin masakra e Lushnjes, dyshohet se kishte shkasë një ngjarje të vitit 2016, ku u tentua të ekzekutohej nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti.
Breshëritë e kallashnikovit të hasmëve të Aldo Bares lanë të vdekur Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. Viktimat njiheshin si miq të ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares. Nipin e të fortit të Lushnjës e ndihmoi fati. Ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes vetëm pak minuta para atentatit.