LAJMI I FUNDIT/ Digjen 16 hektarë të mbjellë me grurë në Fier, në pronësi të një prej kultivuesve më të mëdhenj të zonës
Mesditën e sotme një sipërfaqe prej 16 hektarësh e mbjellur me grurë u përfshi nga flakët në fshatin Topojë në Fier.
Sipërfaqja në pronësi të një prej kultivuesve më të mëdhenj të grurit në zonë, Mili Sako është shkrumbuar brenda pak minutash, pasi flakët janë favorizuar nga era, duke rrezikuar edhe një stan aty pranë.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur shpejt zjarrfikësja, e cila ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit, ndërsa për fermerin dëmi ekonomik shkon rreth 20 milion lekë të vjetra.
Fermeri Sako këtë sezon ka kultivuar 45 hektarë grurë, ndërkohë që parcela më cilësore është shkrumbuar një ditë para se ta korrte.
Sako ka një apel për të gjithë fermerët që të kenë kujdes të shtuar, pasi një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë dëme të mëdha.
“Nuk e di si ndodhi. Isha duke punuar në një parcelë tjetër, vetëm kur pamë flakët, mendova se ishte ndonjë hamëll që kisha korrur.
Lashë punën atje erdha, shiko unë po digjej gruri që ishte pa korrur. Sipërfaqia prej 16 hektarësh, pa prekur fare, pa korrur asnjë pëllëmbë, e përpiu flaka për një orë.
Lajmëruam zjarrfikësen dhe policinë. Në kohën që erdhi zjarrfikësja, flaka ikte me shpejtësi sepse e favorizonte era, ne e shikonim nuk kishin çfarë të bënim.
Flakët kapën edhe stanin, por në atë kohë erdhi edhe zjarrfikësja dhe e fiku.
Si dëm llogarite 11 mijë lekë të reja dylymi, rreth 20 milion lekë të vjetra.
Unë kisha 45 hektarë, kam korrur 25, kishin ngelur këto 16 hektarë këtu dhe disa hektarë tjerë në një tokë tjetër. Këtë këtu kisha planifikuar ta korrja nesër, por ma mori sot, nuk ma la për nesër.
Nuk e di ngase është shkaktuar, nuk flas dot. Nuk kam dyshime, nuk kam njeri që të kem konflikt. Nuk besoj te zjarrëvënie e qëllimshme, ndoshta një dorë e gabuar.
Nuk besoj, sepse nuk digjet buka e kalamajve. Nëse e ka bërë një dorë, haram të ketë bukën që ha. Është tmerr.
Nëse ndonjë person do kishte gjë me mua, këtu më kishte, nuk kishte pse të bënte këtë, por sërish nuk e besoj.
Në zonë ka pasur edhe zjarre të tjera, por jo në parcela të pa korrura” tha fermeri Sako.