LAJMI I FUNDIT/ Jep dorëheqjen kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Lajmi bëhet i ditur nga burime, që kanë konfirmuar se kryebashkiaku është dorëhequr mbrëmjen e sotme. Dorëheqja e Dredhës pritet të zyrtarizohet ditën e nesërme.
Arsyet e dorëheqjes së Ermal Dredhës nuk dihen ende.
Ermal Dredha qëndron në krye të Bashkisë së Vlorës që prej muajit korrik të vitit 2023, kur zëvendësoi Dritan Lelin.
Kujtojmë se Ermal Dredha është kritikuar shumë herë nga Kryeministri Edi Rama për probleme të ndryshme në qytetin e Vlorës.
E fundit ishte javën e kaluar, në takimin e Ramës për Operatorin Kombëtar të Ujit.
Kryeministri tha se Ujësjellësi i Vlorës, që është në varësi të bashkisë, ka probleme të mëdha me menaxhimin.
“Raporti i bërë nga ekipi për situatën e administrimit të ujësjellësit të Vlorës është i frikshëm. Nivel papërgjegjshmërie i frikshëm. Solla rastin konkret duke qenë se flasim për një nga pikat më atraktive dhe më të ngarkuara nga turizmi. Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrje të administruara me papërgjegjshmëri ekstreme në vitin 2020 arritën në 13.6 miliardë euro. Harxho, shpërdor, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe. Në 2021, ndërmorëm hapin e parë duke hyrë në procesin e bashkimit të kompanive dhe nga 58 shoqëri, 58 çeta, ne krijuam 15 shoqëri rajonale. Qëllimi ishte të përmirësohej performanca dhe të rritej përgjegjshmëria në administrim dhe sot kemi rezultate domethënëse, që na tregojnë një gjë që përgjigjja ndaj kësaj sfide është bashkimi dhe jo copëzimi. Njerëzit nuk pinë decentralizim në rubitet, por ujë. Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Hap i jashtëzakonshëm padiskutim”, deklaroi Rama.
Por një tjetër raste flagrant i kritikave të Ramës ndaj Ermal Dredhës, ishte edhe gjatë festës së ditëlindjes së PS, që u mbajt më 19 qershor 2025.
Ndonëse nuk dëgjohej se çfarë po bisedonin, Rama shfaqej me tone të ashpra dhe i irrituar. Nga sa u mësua përmes burimeve, Kryeministri i ‘tërhoqi veshin’ për zjarrin në fushën e mbetjeve në Vlorë.
/Lajmi ne perditesim..




