Latif Kazanxhiu: Përpjekjet e një mësuesi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës rome në Fier
Latif Kazanxhiu, themelues i organizatës “Rom Aktiv Albania” dhe një nga mësuesit e parë të gjuhës rome në Shqipëri, prej më shumë se 20 vitesh po përçon dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat e komunitetit rom tek brezat e rinj në Baltëz dhe Mbrostar të Fierit.
Me përkushtim të pandërprerë, Kazanxhiu ka hapur një klasë mësimore në Mbrostar ku mësojnë rreth 23 fëmijë romë, duke ndjekur një program të përpiktë të ngjashëm me atë të shkollave publike. Ai ka ndihmuar që 17 të rinj nga komuniteti rom të përfundojnë studimet e larta dhe sot të kërkojnë përfshirjen e tyre në administratë.
Në një apel për ndihmë ndaj pushtetit lokal, Kazanxhiu kërkon hapjen e një klase për gjuhën rome në shkollat publike, duke e konsideruar këtë hap thelbësor për ruajtjen e gjuhës, e cila rrezikon të harrohet. Ai thekson se shumë të rinj hezitojnë të flasin romisht dhe prindërit luajnë një rol kyç në nxitjen e interesit të fëmijëve për arsimim.
Sipas Kazanxhiut, paragjykimet ndaj komunitetit rom mbeten një sfidë e madhe, por ai është i vendosur të vazhdojë të kontribuojë për një përfshirje më të madhe sociale dhe barazi për këtë komunitet.