Luftoi deri në fund me sëmundjen, ndahet nga jeta drejtuesja e Arsimit në Berat
Majlinda Xhamo, drejtuesja e Zyrës Arsimore në Berat është ndarë nga jeta këtë të enjte, në moshën 57 vjeçare. Mësuesja, aktivistja e shoqërisë civile dhe publicistja e njohur e qytetit të një mbi një dritareve ka mbyllur sytë përgjithmonë duke luftuar deri ditën e fundit me sëmundjen.
Fatkeqësisht, Majlinda Xhamo nuk ia ka dalë kësaj beteje dhe ka lënë në dhimbje familjarët, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin në qytetin e Beratit.
Nëna dhe bija fisnike e Beratit ka dhënë një kontribut të pakursyer si profesioniste në fushën e arsimit. Ajo rridhte nga një familje arsimtarësh dhe këtë traditë e kishte trashëguar dhe vetë, duke ia dedikuar jetën arsimit dhe mësimdhënies për nxënësit dhe studentët e qytetit të gurtë.
Sëmundja e mundonte prej kohësh, por Majlinda Xhamo nuk u dorëzua në betejën e saj deri ditën e fundit. Ajo do t’i mungoi nga sot bashkëshortit, dy fëmijëve dhe gjithë miqve e kolegëve me të cilët punoi për vite me radhë.
Një mesazh ngushëllimi për ikjen e saj ka shkruar dhe kryebashkiaku Ervin Demo, i cili thotë se Berati humbi sot një bijë shembullore, një grua fisnike, një nënë të dashur, një kolege energjike, një profesioniste të përkushtuar.
“Ky është një nga ato postime që s’dua t’i bëj… Berati sot humbi Majlinda Xhamon, drejtuesen e ZVA! Humbi një bijë shembullore, një grua fisnike, një nënë të dashur, një kolege energjike, një profesioniste të përkushtuar!
Majlinda i dha Beratit kontributin e saj të pakursyer jo vetëm në arsim, por edhe në shoqërinë civile, si një nga zërat më të fuqishëm. Po me aq forcë e luftoi deri ditën e fundit edhe sëmundjen, pa u dorëzuar asnjë moment. Deri në fund…
Lindur në një familje arsimtarësh, u rrit, u martua dhe u bë nënë në Berat, pa iu larguar kurrë dashurisë së saj për Beratin e Magjishëm. Majlinda, këtij qyteti po i mungon që sot! Mendimet e mia janë për familjen e saj, bashkëshortin dhe dy fëmijët”, shkruan kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo.