Lul Morina: “Ndjesa ime publike për reagimin ndaj një pseudogazetari, integriteti dhe puna e ndershme mbeten prioritet”

Biznesmeni i njohur fierak, Julian Morina, ka dalë në reagim publik pas një serie ngjarjesh që lidhen me gazetarin Almer Toska dhe një investigim të publikuar nga ky i fundit.
Pas publikimit të artikullit, gazetari raportoi marrjen e mesazheve fyese dhe sharjeve nga Morina. Biznesmeni reagoi menjëherë me një postim në Facebook, ku shpjegon motivet e tij dhe sqaron situatën, duke theksuar se reagimi ishte i lindur nga ndjenja e mbrojtjes së dinjitetit dhe reputacionit të tij.
Në deklaratën e tij, Morina rikujton arritjet e tij në biznes, duke drejtuar kompani që veprojnë kryesisht në fushën e hotelerisë dhe ndërtimit të objekteve, me bashkëpunime me brande ndërkombëtare, pa përfituar asnjë tender publik. “Jam krenar që gjithçka që kam arritur është rezultat i punës dhe investimit tim të ndershëm, pa u mbështetur në asnjë qindarkë të taksave të qytetarëve,” shprehet Morina.
Ai shpreh gjithashtu shqetësim për mënyrën se si gazetari ka komentuar për kosovarët, duke e konsideruar këtë të papranueshme dhe fyese. Si bir i një familjeje me rrënjë nga Mitrovica e Kosovës dhe i lindur e rritur në Fier, Morina thekson se kontributi i familjes së tij në ngritjen e Flamurit dhe formimin e Qeverisë së parë shqiptare është pjesë e trashëgimisë që ai e vlerëson dhe e ruan.
Ekspertët e biznesit dhe bashkëpunëtorët e tij shprehen se kjo situatë nuk cenon reputacionin e Morinës, përkundrazi, nxjerr në pah integritetin, profesionalizmin dhe qasjen transparente të tij ndaj publikut dhe mediave.
Morina thekson se ky reagim erdhi për të sqaruar opinionin publik dhe për të mbrojtur vlerat e kompanive dhe komunitetit që ai përfaqëson, duke treguar edhe njëherë përkushtimin e tij ndaj zhvillimit ekonomik dhe promovimit të Fierit dhe Kosovës.
Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit, ndërkohë që Morina rikujton angazhimin e tij të vazhdueshëm në biznes, duke kontribuar në punësimin e qytetarëve dhe forcimin e imazhit të Fierit si një qendër zhvillimi ekonomik.
Postimi i biznesmenit Morina:
“Të nderuar bashkombas, miq e dashamirës! Desha t’ju percjell në respekt tuajin një ndjesë të thellë publike lidhur me një reagim timin të irrituar ndaj një pseudogazetari i cili është munduar të perbaltë punën, mundin, kontributin tim në kompanitë që drejtoj dhe jo vetëm.
Përpos kësaj desha të shpreh indinjatën dhe shqetsimin tim lidhur me disa shkrime te publikuara nga ky pseudogazetar qe shprehet me etiketime dhe aludime fyese të cilat cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin tim. Kompanite që unë drejtoj ushtrojnë aktivitetin kryesisht në fushën e Hotelerisë ku disa prej Hoteleve janë bashkëpunime me brande ndërkombëtare. Pjesa tjetër e aktivitet të kompanive është e orientuar në ndertim të objekteve ku vlen për tu theksuar që nuk kam marrë asnjë tender publik dhe kjo më bën më tepër krenar që nuk kam perfituar 1 Cent nga taksat e këtij vendi.
Indinjata ime e thellë ndaj ketij pseudogazetari e shprehur në atë formë ka qënë pasi ky pseudogazetar ka guxuar të shkruaj po ashtu për gjysmën e Kombit tonë Kosovën. Mirepo ajo që është shumë indikative dhe e pështirë në gjithë këtë histori, është fakti se, ka guxuar te shprehë se “ne Kosovarët jemi gjysem Turq e gjysem Sllavë”. Eshtë sa irrituese po aq edhe e neveritshme dhe si e tillë kam reaguar në atë formë pasi rrënjët e mija burojnë në Mitrovicë të Kosovës por jam i lindur dhe i rritur ne qytetin e Fierit. Familja jonë dhe shumë të tjera janë vendosur ne Shqipëri që nga periudha e Isa Boletinit ku kanë kontribuar në ngritjen e Flamurit dhe formimin e Qeverisë së parë Shqiptare, pjesë e së cilës kanë qenë familjarë tanë të cilët kanë kontribuar duke pasur edhe humbje në radhët e tyre.
Pjesë e këtij indijimi ndaj kësaj maskarade të shprehur nga ky pseudogazetar u bëra dhe unë fatkeqsisht, por në respekt tuajin per çfarë po qarkullon ditet e fundit në portale ndieja detyrim per të sqaruar situaten në fjalë.
Me respekt Juljan Morina.”

/FIERI WEB




