Lumi Vjosa rrezik për tokat bujqësore, si paraqitet situata sot në qarkun e Fierit
Situata në qarkun e Fierit paraqitet joproblematike, pavarësisht reshjeve intensive të rëna gjatë natës. Sipas informacionit të marrë nga Prefektura Fier, aktualisht nuk ka raportime për emergjenca apo dëmtime të infrastrukturës.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se prurjet e lumit Vjosë janë shtuar në zonat e Përmetit dhe Memaliajt, dhe ky fluks pritet të reflektohet gjatë mesditës në territorin e Fierit. Parashikohet mundësia e daljes së lumit nga shtrati në disa sipërfaqe të tokave bujqësore, megjithatë situata mbetet e menaxhueshme, pasi një faktor pozitiv është se deti tërheq, duke lehtësuar shkarkimin e ujërave.
Ndërkohë, akset rrugore në qark janë plotësisht të kalueshme, dhe nuk raportohen probleme me furnizimin me ujë të pijshëm apo energji elektrike.
Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në kohë reale, ndërsa u bëhet thirrje banorëve në zonat pranë Vjosës të tregojnë vigjilencë.




