Lushnjë – Vijon operacioni “Hapësirat publike”: Në hetim 3 persona për shfrytëzim të paligjshëm të hapësirave

Policia e Lushnjës ka evidentuar 3 raste të tjera të shfrytëzimit të kundërligjshëm të hapësirave publike për aktivitete ekonomike të paregjistruara, në kuadër të planit operacional “Hapësirat publike”.
Në përfundim të verifikimeve, janë vënë nën hetim shtetasit A. S. (34 vjeç) dhe R. K. (29 vjeç), banues në Lushnjë, të cilët kishin pushtuar dy hapësira publike në lagjen “Savër”, duke i përdorur për shitblerje automjetesh, pa regjistrim në organet tatimore.
Gjithashtu, në hetim është vënë dhe shtetasi A. H., i cili shfrytëzonte një hapësirë në lagjen “Gafurr Muça” si vendparkim automjetesh, po ashtu pa regjistrim ligjor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ndërsa operacioni policor “Hapësirat publike” vijon me kontrolle të tjera në territor për parandalimin e zënies dhe shfrytëzimit të paligjshëm të hapësirave publike.




