Lushnjë – Zbardhet zjarrvënia në tregun e fruta-perimeve, një person në kërkim

Policia e Lushnjës ka vijuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 19 maj 2026, në tregun e fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, e cila fillimisht u dyshua si aksidentale.
Si rezultat i hetimeve, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një shtetas i dyshuar si autor i zjarrvënies, ndërsa po vijon puna për identifikimin e një tjetër personi të përfshirë në ngjarje.
Sipas Policisë, më 19.05.2026 është marrë njoftim se në tregun e fruta-perimeve të qytetit kishte rënë zjarr. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve brenda pak orësh.
Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa tezga dhe produkte në pronësi të tregtarëve të ndryshëm.
Fillimisht u dyshua për një shkëndijë elektrike, por pas veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë i mundur identifikimi i shtetasit K. Ç., banues në Durrës, i cili është shpallur në kërkim si njëri prej autorëve të dyshuar të zjarrvënies.
Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se K. Ç. shfaqet pranë tregut së bashku me një tjetër shtetas ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë ndezur zjarrin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim si dhe për identifikimin e personit tjetër të përfshirë në ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




