Një sasi mbi 102 kg marijuanë është sekuestruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Igumenicës në Greqi.
Rreth orës 02.25 me orën lokale, policia greke ka tentuar të ndalojë një automjet me targa HNE-9563, që nga verifikimi rezultoi automjet i sektorit të anti-drogës së Igumenicës.
Automjeti nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë deri sa është përplasur me 3 automjete të parkuara. Efektivët që ishin në operacion kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar shoferin dhe pasagjerin.
Drejtuesi i mjetit u identifikua si Konstantinos Nakos, 41 vjeç, oficer i sektorit të anti-drogës së policisë së Igumenicës ndërsa pasagjeri, Arben Murto, 41 vjeç nga fshati Shalës i Bashkisë Konispol. Brenda mjetit janë gjetur dhe sekuestruar 19 pako me 102 kg 670 gram marijuanë.
Nga hetimet rezulton se oficeri Konstantinos Nakos ka qenë në detyrë patrullimi të planifikuar në oraret 22.00 – 06.00 së bashku me oficerin tjetër të anti-drogës, Dimitrio Oikonomou, 50 vjec, i cili gjatë operacionit rezultoi se ndodhej brenda një kafeneje në Sajadhë, pranë kufirit greko-shqiptar.
Gjatë kontrollit në mjet u gjet gjithashtu pistoleta e oficerit Oikonomou. Veç dy të arrestuarve të parë, me urdhër të Prokurorit, u arrestua edhe oficeri 50 vjeçar.
15