Makina ishte me 200 km/h, pamje nga aksidenti tragjik që i mori jetën Arnoldit në Itali
Pak ditë më parë, pas një aksidenti tragjik në Itali, humbi jetën 22-vjeçari shqiptar, Arnold Selishta. Nga ky aksident mbetën të plagosur 2 pasagjerët e tjerë në mjet, të moshës 18 dhe 23 vjeç. Grupi i të rinjve, hipën në dy makina, një ‘Range Rover’ dhe një ‘BMW M8’.
Pas hetimeve, mediat italiane shkruajnë se shkak i aksidentit tragjik është bërë një farë me makinë mes të rinjve. Në media shkruhet se në një moment, Range Rover-i dhe BMW-ja arritën një shpejtësi deri në 200 km/h dhe kjo i kushtoi jetën shqiptarit e plagosi të rinjtë e tjerë.
Lidhur me ngjarjen, nën hetim është kushëriri i Selishtës i cili ka qenë me të në momentin e ngjarjes, teksa në dëshmi, ai mohon se kanë bërë garë me makinë me djemtë e tjerë, natën kur ndodhi tragjedia.
“Nuk po lëviznim me shpejtësi, hymë në rrethrrotullim, po kthehesha majtas siç bëjnë në Angli pastaj kushëriri im më tha të futesha djathtas, devijova, kushëriri nuk e kishte vënë rripin e sigurimit, ndërsa unë po, kjo më shpëtoi jetën,”- mësohet të ketë thënë 23-vjeçari në dëshminë e tij.