74-vjeçarja shqiptare Salie Gjonzelaj ka humbur jetën ditën e mërkurë në një aksident në Itali. Ajo po kalonte rrugën në zonën e Granarolo dell’Emilia në Bonja, kur një makinë e ka përplasur për vdekje.
Trupi i saj përfundoi mbi një gardh nga përplasja e fortë dhe u gjet 12 orë pas aksidentit, shkruajnë mediat italiane.
Pasi ekipet e shpëtimit mbërritën në vendin e aksidentit, gjetën një automjet në të cilin ndodhej 55-vjeçari drejtues i mjetit. Policia italiane thotë se shqiptarja kishte përfunduar në një gardh, larg nga vend i aksidentit dhe për këtë arsye askush nuk e kishte vënë re.
Ndërkohë, familjarët e viktimës ishin shqetësuar për 74-vjeçaren. Njëri nga dy djemtë e saj kishte hetuar rrugën ku kalonte nëna e tij për t’u kthyer në shtëpi, dhe ka qenë pikërisht ai i cili e ka gjetur dhe e ka identifikuar trupin e Salie Gjonzelaj.
Ngjarja tragjike është zbardhur nga autoritetet italiane të cilat bëjnë me dije se 55-vjeçari italian, pasi ka përplasur gruan shqiptare, ka humbur kontrollin e makinës dhe ka tentuar të ikë nga vend i ngjarjes. Por, ka qenë përplasja me një shtyllë elektrike që i ka dhënë fund arratisë së italianit.