Mallakastër – Vijon operacioni “Koordinata”, arrestohen 2 persona për kultivim kanabisi, procedohet penalisht kryetari i fshatit Visokë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”.
Si rezultat i kontrolleve sistematike dhe informacionit të siguruar në rrugë operative, në vendin e quajtur “Mazren”, në fshatin Visokë, u kapën në flagrancë shtetasit A. H., 33 vjeç dhe K. M., 18 vjeç, të dy banues në Visokë, teksa kishin kultivuar 132 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Po ashtu, për këtë rast, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj kryetarit të fshatit Visokë, shtetasit A. Ç., 63 vjeç.
Bimët narkotike janë asgjësuar me anë të djegies.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.




