Mallakastër – Zjarr masiv përfshin zonën e Drenovës, rrezikon ullishtet dhe banesat

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë këtë pasdite zonën e Drenovës në Bashkinë Mallakastër, duke rrezikuar seriozisht ullishtet, sipërfaqe me shkurre dhe disa banesa pranë zonës së zjarrit.
Era e fortë ka favorizuar përhapjen me shpejtësi të flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë për akses, zjarrfikësit po hasin vështirësi në lokalizimin dhe neutralizimin e vatrave të zjarrit.
Autoritetet lokale i bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme pranë zonës së zjarrit, ndërsa vijon puna për vënien nën kontroll të flakëve. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale në pemëtari janë të konsiderueshme.




