Mallakastër/ Zjarri rrezikon banesat në Koilac, evakuohen disa familje
Situatë e rëndë nga zjarret në Mallakastër, ku flakët kanë rrezikuar banesat në fshatin Koilac. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit, Policia ka ndërhyrë për evakuimin e disa familjeve nga zona e rrezikuar.
Në terren vijon operacioni për shuarjen dhe izolimin e flakëve, ku janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, zjarrfikëset, Forcat Kombëtare të Sigurisë, emergjencat civile dhe struktura të tjera.
Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Zjarri ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.
Flakët po lëvizin në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan, ndërsa forcat në terren po punojnë për të parandaluar afrimin e zjarrit pranë banesave dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave. Nëse do të konstatohet se zjarri është shkaktuar nga veprime të kundërligjshme, do të punohet edhe për identifikimin e autorit.
Policia apelon qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, ndërsa çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie të denoncohet në 112.




