Mazhoranca propozon ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit: privilegje për ish-kryepolicin dhe ndryshime në sistemin e gradave

Mazhoranca ka propozuar ndryshime në ligjin aktual “Për Policinë e Shtetit”, duke depozituar në Kuvend një draft që sjell risi në mënyrën e emërimeve, gradimeve dhe trajtimit të drejtuesve të lartë të policisë.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me statusin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas përfundimit të mandatit. Sipas draftit, pas lirimit nga detyra, ai do të rikthehet në strukturat e policisë me gradën “Drejtues i Parë”, por pa të drejtë riemërimi si Drejtor i Përgjithshëm.
Projektligji parashikon që ish-kryepolici të mund të angazhohet në funksione drejtuese, këshillimore, pedagogjike ose si oficer kontakti, ndërsa me përfundimin e detyrës do të përfitojë edhe trajtim të veçantë, i cili do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshimet janë propozuar nga deputeti socialist Bujar Rexha, i cili në relacionin shpjegues argumenton se procedurat aktuale të konkurrimit për drejtuesit e lartë janë bërë pengesë për funksionimin e policisë.
Sipas tij, proceset e zgjatura të garës për pozicione si zëvendësdrejtor i përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtues vendor apo shef komisariati kanë sjellë burokraci dhe kanë ulur efektivitetin administrativ e operacional.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me sistemin e gradave. Drafti synon të shkurtojë periudhën e qëndrimit nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues”, nga 5 vite në 4 vite.
Në relacion argumentohet se afati aktual konsiderohet formal dhe demotivues për punonjësit që japin rezultate të larta në punë. Sipas propozuesve, fokusi duhet të zhvendoset nga koha e qëndrimit në gradë drejt performancës.
Po ashtu, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit i jepet kompetencë që në raste të veçanta të promovojë punonjës policie me gradën pasardhëse pa pritur afatet e përcaktuara, si vlerësim për akte heroike, sakrifica apo veprime me rrezikshmëri të lartë në luftën kundër krimit.
Projektligji pritet të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare, ku parashikohen debate mes mazhorancës dhe opozitës, përpara se të kalojë për votim në Kuvend.




