“Mbi 150 ankesa nga votuesit e diasporës për operatorin”, Celibashi: Në fund të procesit vendosim shpërblimin për DHL në varësi të shërbimit

Vetëm pesë ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zhvilloi një konferencë për mediat, ku foli mbi problematikat e evidentuara deri më tani në procesin e votimit nga jashtë vendit.
Celibashi deklaroi se KQZ ka një kontratë me kompaninë postare DHL për shpërndarjen e fletëve të votimit për emigrantët, por vlerësimi për performancën e saj do të bëhet pas përfundimit të procesit. “Kur të mbarojë kontrata, do të ulemi me DHL dhe do të shikojmë se sa dhe si e ka përmbushur këtë shërbim. Është herët për të dhënë verdikte”, u shpreh ai.
Sipas kreut të KQZ-së, deri më tani janë regjistruar 156 ankesa nga votuesit. Në 90 raste, është raportuar se zarfi me fletën e votimit është lënë në derë ose në kutinë postare nga DHL, pa njoftim. Ndërkohë, 21 ankesa lidhen me refuzimin e DHL për të tërhequr zarfin e plotësuar për rikthim.
Po ashtu, 9 votues kanë raportuar se nuk u ka mbërritur fleta e votimit në dokumentacionin zgjedhor, ndërsa në 8 prej tyre, KQZ ka ndërhyrë për ridërgim. Gjithashtu, 4 zgjedhës janë ankuar se nuk janë njoftuar për dorëzimin e zarfit, ndërsa 3 të tjerë thonë se nuk e kanë marrë ende fare.
Celibashi siguroi se të gjitha rastet janë duke u ndjekur dhe se çdo votues ka të drejtën të raportojë çdo problem në KQZ.