Mbyllen qendrat e votimit edhe në Fier – Shqipëria përmbyll ditën e zgjedhjeve parlamentare 2025

Pas një muaji me fushatë intensive dhe një dite heshtjeje zgjedhore, qytetarët shqiptarë iu drejtuan sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Në orën 19:00, qendrat e votimit u mbyllën zyrtarisht edhe në qarkun e Fierit, duke përmbyllur një ditë të rëndësishme për demokracinë shqiptare.
Zgjedhjet e 2025-ës shënojnë procesin e 11-të zgjedhor që prej rënies së sistemit komunist dhe vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Këtë vit, 2,046 kandidatë garuan për 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa të drejtë vote kishin 3,713,761 qytetarë, të shpërndarë në 5,225 qendra votimi në të gjithë vendin.
Procesi i votimit në Fier dhe në pjesën më të madhe të vendit është zhvilluar përgjithësisht i qetë, me përjashtim të disa incidenteve të izoluara që janë raportuar në disa qendra votimi, për të cilat organet përkatëse janë duke hetuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë të dhënat përfundimtare mbi pjesëmarrjen dhe të nisë menjëherë procesin e numërimit të votave.