Mbyllet në Fier Turi Çiklistik i Shqipërisë, incident pranë finishit. Fitues absolut i gjithë garës u shpall Tom Jokmans nga Holanda.

Fier, 30 Maj 2025 – Turi Çiklistik i Shqipërisë u përmbyll sot me etapën e pestë dhe të fundit, që kulmoi në qytetin e Fierit, ku u shpallën fituesit e këtij edicioni të 82-të të garës tradicionale.
Sipas Federatës Shqiptare të Çiklizmit, etapa finale nisi në orën 10:00 nga bulevardi kryesor i Vlorës dhe vijoi në segmentin Vlorë–Fier–Unaza e Fierit–Savër–Levan, për të përfunduar në qendrën e Fierit. Për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, Policia Rrugore e Fierit njoftoi më herët bllokime të përkohshme në disa akse kryesore.
Në garë morën pjesë 14 skuadra me 86 çiklistë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të tjera të Europës.
Fitues i etapës së fundit u shpall Jovan Divniç, çiklisti me numër 45 i ekipit malazez, ndërsa ekipi holandez Amsterdam u shpall fituesi i përgjithshëm i turit. Fitues absolut i gjithë garës u shpall Tom Jokmans nga Holanda.
Megjithatë, nuk munguan emocionet dhe incidentet. Vetëm pak metra larg finishit, çiklisti serb Marko Stankoviç, një ndër pretendentët për fitore, humbi kontrollin dhe u rrëzua në tokë. Ai mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ekipi më i mirë i etapës së pestë u shpall CCN Metalac nga Serbia.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, në fjalën përmbyllëse e cilësoi këtë edicion si më emocionuesin deri më sot, duke theksuar garën e fortë dhe rivalitetin e ndershëm mes sportistëve.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, e konsideroi një emocion të veçantë faktin që gara mbyllet në Fier dhe bëri thirrje për më shumë angazhim të të rinjve në sport.