Më 15 Tetor 1952, hapet në Fier e para shkollë e mesme profesionale
Në 15 shtator 1952 u hap në qytetin e Fierit e para shkollë e mesme profesionale, teknikumi bujqësor “Rakip Kryeziu”.
Misioni dhe detyra këtij institucioni do të ishte përgatitja e një numri teknikësh për nevojat e ekonomisë bujqësore. Fillimisht me dy klasa paralele në degët agronomi dhe zooteknikë, shkolla, u vendos në një godinë në lagjen ‘’Kastriot’’ dhe kishte 52 nxënës, 16 prej të cilëve ishin konviktorë.
Drejtori i parë ishte Ahmet Shtylla, drejtuese e konviktit Lala Milaj, kurse trupa mësimore përbëhej nga dy mësues efektivë: Matish Shestani (Matematik-Fizik) dhe Tasim Harxhi (Histori-Gjeografi). Pjesa tjetër e mësuesve si Kasjani Gjini (Gjuhë Shqipe), Nestor Nepravishta (Rusisht), Minerva Shestani (Kimi) dhe Abdulla Kaprata (Edukim Fizik) vinin nga shkollat 7 vjeçare të qytetit.
Ndërsa lëndët profesionale të zoologjisë dhe botanikës do të jepeshin nga Ludovik Gajtani, kryeagronom i NB ‘’Çlirimi’’ dhe Hilmi Frashëri, agronom i rrethit.
Në vitin 1958 shkolla së bashku me konviktin do të zhvendosej në godinat e reja në NB ‘’Çlirimi’’, ndërsa pas vitit 1963 ajo do të pajisej me ambiente të reja si: mensa, salla studimi, laboratorë, bibliotekë, kënd kulture, bazë prodhuese, tokë bujqësore, etj.
Shumë shpejt, teknikumi bujqësor ‘’Rakip Kryeziu’’, do të shdërrohej në një institucion model të arsimit profesional prej të cilit do të dilnin kuadrot e para të bujqësisë, midis të cilëve edhe një sërë personalitetesh të njohur në fusha të ndryshme të jetës.
* Burimet: Historiku i shkollës së mesme bujqësore ‘’Rakip Kryeziu’’, dorëshkrim; Jani Sota, ”Zhvillimet arsimore në rrethin e Fierit” (1945-1963), Tiranë 2012, f. 292-297.