Me armë në dorë terrorizoi dy punonjëset dhe u grabiti paratë, dalin pamjet nga vjedhja e pikës valutore në qendrën tregtare në Tiranë. Policia arreston autorin.

Këto janë momentet e panikut që kanë kaluar dy punonjëse në një pikë këmbimi valutor në qendrën tregtare në 5 Maj, Tiranë.
Siç shihet nga pamjet e kamerave të sigurisë, autori është futur në këtë pikë me një armë në dorë, ndërsa mban dorëza në duar dhe një kapuç në kokë për të mos u identifikuar.
Ai i ka kërcënuar punonjëset dhe më pas ka arritur që të marrë rreth 3 milionë lekë. Autori Lun Maci është larguar pas grabitjes, ndërsa në pranga është vënë pas disa orësh.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje, në rrugën “5 Maji”, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:
-L. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se duke kanosur punonjësen, me arme zjarri pistoletë, ka vjedhur rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, brenda një qendre tregtare, në rrugën “5 Maji”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




