Me miliona euro të falsifikuara furnizonin rrjetin ndërkombëtar të drogës, arrestohen 8 shqiptarë në Spanjë
22 persona, tetë prej tyre shqiptarë janë arrestuar në Spanjë si pjesë e grupit më të madh të falsifikimit të parave në Europë, para të cilat i përdornin për trafik ndërkombëtar droge.
Të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Romina” janë të moshave nga 22 deri në 63 vjeç. Hetimi filloi me një ndjekje policore nëpër rrugët e Salou më 23 qershor.
Një patrullë e Mossos pa një makinë duke lëvizur me shpejtësi të madhe dhe pasi e ndaloi gjeti 6000 euro kartëmonedha false.
Kjo ishte pikënisja e një operacioni që ka përfunduar me disa arrestime dhe çmontimin e disa plantacioneve të marijuanës.
Kartmonedhat nga ajo makinë në Salou ishin kopje të atyre të shpërndara nga një bandë që ishte çmontuar tashmë në tetor 2022. Dhe nuk ishte një bandë, por “rrjeti më i madh i falsifikimit në Evropë”, sipas policisë katalanase.
Operacioni i mëparshëm u quajt “sentinel” sepse personi i parë që arritën të identifikonin nga grupi kriminal që falsifikonte kartëmonedhat ishte “sentinel”, pra ai që ruante paratë.
Nëse duhet t’u japësh një notë, kartmonedhat do të vlerësoheshin me 9.7 nga 10, sipas hetuesve të Mossos. Pas këtyre kartmonedhave fshiheshin katër burra. Në vitin 2019, ata ishin të gjithë jashtë burgut dhe kishin nevojë vetëm për financim. Këtu hynë në lojë shqiptarët, të cilët i paguanin për dërgesat dhe makineritë. Grupi filloi prodhimin derisa goditi pandemia dhe kufijtë u mbyllën.
Materiali, i ardhur nga Kina, nuk po vinte më. Në pamundësi për të paguar shqiptarët, zgjidhja ishte t’u jepeshin shumë kartëmonedha false.
Kjo është pika e nisjes së operacionit “Romina” që u finalizua këtë muaj. Kartmonedhat në atë makinë që po ikte me shpejtësi përmes Salou-t u përkisnin të burgosurve të Picassentit. Policia kishte gjetur shqiptarët që i kishin financuar.
Policia katalanase, e cila dha detaje në një konferencë për shtyp, thotë se ky operacion nxjerr nga rruga të disa shqiptarëve shumë të rrezikshëm, të cilët kishin nën kontroll disa plantacione marijuane, të cilët ishin të armatosur duke sulmuar madje edhe grupe të tjera kriminale me dhunë, për të vjedhur marijuanën e tyre.
Sipas autoriteteve spanjolle grupi ruante një “standard të lartë jetese” pa pasur asnjë lloj të ardhurash të ligjshme. Makina luksoze, pallate, veshje të shtrenjta por edhe jetesë nën masa të forta sigurie. Ata kishin truproje, drone për të monitoruar plantacionet dhe pajisje GPS dhe përdornin mesazhe të koduara. Forcat e policisë sigurojnë se grupi kriminal i dedikuar për trafikun e marijuanës që kanë çmontuar ka qenë shumë aktiv në zonën e Tarragonës.