“Më vrisni, nuk meritoj të jetoj!”/ I dehur në timon vrau dy fëmijë, dëshmia e autorit: Jam i tronditur, nuk mbaj mend asgjë!

“Me vrisni. Nuk meritoj të jetoj.” – kështu e ka nisur dëshminë e tij para policisë autori që shkaktoi aksidentin tragjik mesditën e kësaj të diele në Durrës. Dy fëmijë humbën jetën, ndërsa një tjetër po lufton me vdekjen në spitalin e Traumës. Nikollë Rradaçi, 57 vjeç, është marrë dy herë në pyetje, pasi fillimisht ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, por edhe nën efektin e alkoolit.
“Me vrisni. Nuk meritoj të jetoj. Dua të vras veten. Çfarë të them!? Ka ngelur gjë për të thënë më!? Jam i tronditur. Nuk mbaj mend asgjë. Mora në qafë fëmijët. Isha në gjendje të dehur,” – mësohet të ketë deklaruar ndër të tjera 57-vjeçari.
Nikollë Rradaçi është një person që ishte bërë shqetësim për banorët e zonës, të cilët disa herë ishin ankuar edhe në polici për shkak se ai ecte me shpejtësi të lartë në rrugët e lagjes dhe në gjendje të dehur në timon. Vetëm një ditë më parë, një banor tha se kishte shpëtuar për mrekulli bashkë me nipin 7-vjeçar, pasi Nikolla për pak desh i kishte përplasur me makinën në rrugë.
57-vjeçari ishte ndëshkuar disa herë nga policia; në dy raste i ishte hequr edhe leja e drejtimit, pasi ishte kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Në një farë mënyre, aksidenti tragjik që ndodhi sot ishte një ngjarje e paralajmëruar.




