Media britanike “Daily Express”: Zbuloni Himarën, një copëz e parajsës shqiptare
vendosur midis detit Jon dhe maleve madhështore, Himara është një qytet i vogël në bregdetin jugor të Shqipërisë me plazhe spektakolare, shkruan Phoebe Cornish në të përditshmen britanike “Daily Express”.
Ksamili është cilësuar si një perlë e fshehur e Evropës verën e kaluar, por fshati turistik në Rivierën Shqiptare që atëherë ka fituar një reputacion krejt tjetër.
Plazhet e tij dikur të qeta, për të cilat vizitorët thonë se janë ende “të bukura”, janë mbushur me turistë – dhe vetëm disa pika ‘sekrete’ kanë mbetura për t’u zbuluar në zonë
Megjithëse Ksamili mbetet një destinacion më i lirë krahasuar me Greqinë e afërt – kufiri i së cilës është vetëm 1 orë e gjysmë larg me makinë – Himara është alternativa ideale për pushime të qeta dhe pa turma vizitorësh.
Duke ndarë këshillat e udhëtimit për destinacionin shqiptar në blogun e tyre “Along Dusty Roads”, Andrew dhe Emily thanë: “Kur bëhet fjalë për bregdetin shqiptar, shumica e turistëve duhet të zgjedhin se ku do të qëndrojne për disa ditë ose më gjatë”.
“Për ne, Himara është një nga opsionet më të mira. Do të preferonim më shumë një qytet të vogël bregdetar, në vend të një plazhi me një zhvillim modern turistik që rritet rreth tij, dhe ku jeta sillet rreth sezonit të verës”, thanë ata.
“Ndërsa terreni i Himarës mund të duket paksa i ashpër, mungesa e hoteleve të bukura dhe resorteve të mëdha – do të thotë se ka kaq shumë hapësirë të paprekur për t’u zbuluar”, thanë Andrew dhe Emily.
“Ne mendojmë se Himara është një zgjedhje e shkëlqyer – dhe një bazë për turistët që kërkojnë të shijojnë dhe eksplorojnë Rivierën Shqiptare, veçanërisht nëse jeni duke bërë një udhëtim rrugor me një makinë me qira”, shtuan ata.
“Në varësi të stilit të udhëtimit, adhuruesit e plazhit mund të kalojnë pesë netë këtu pa e vizituar të njëjtin vend dy herë”, thanë ata.
Plazhi Spille është plash kryesor në Himarë, i cili ndodhet pranë qendrës së qytetit. Është lehtësisht i aksesueshëm dhe ofron disa nga restorantet më të mira në qytet.
“Gjiri i Akuariumit i njohur edhe si Plazhi i Akuariumit është plazhi më i bukur në Himarë”, sipas blogerëve të udhëtimeve të “The Travel Folk”.
“Plazhi është i fshehur dhe i aksesueshëm vetëm nëpërmjet Plazhit të Livadhit ose qendrës së Himarës”, thanë ata.
“Himara ndihet si një copëz e parajsës shqiptare, me rërën e bardhë dhe shkëmbinjtë që krijojnë një liman të vogël”, tha themeluesja e “The Travel Folk” – duke folur për vizitën e saj në Shqipëri.