Merr detyrën kreu i ri i SPAK, Klodian Braho
Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te kryetari i ri, Klodian Braho. Ky moment vlerësohet nga SPAK si një hap i rëndësishëm për garantimin e vazhdimësisë institucionale dhe forcimin e mëtejshëm të punës së Strukturës së Posaçme.
Sipas ligjit, kreu i SPAK zgjidhet për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili mori drejtimin e institucionit pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të SPAK, përfundon mandatin e tij në krye të kësaj strukture dhe do të vijojë detyrën si prokuror në SPAK deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati i tij 9-vjeçar si prokuror i posaçëm.
Dumani e mbyll ciklin e drejtimit të SPAK në një periudhë të shoqëruar me debate dhe kërkesa të vazhdueshme për t’u dhënë mundësi prokurorëve të SPAK për rikandidim në pozicionin e drejtuesit, kërkesa që nuk u reflektuan në ndryshime ligjore.
Me marrjen e detyrës nga Klodian Braho, SPAK hyn në një fazë të re drejtimi, me pritshmëri për vijimin e hetimeve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta.




