Meta flet nga qelia nr.5: Më ka syrgjynosur “Trekëndëshi i Nevadës”, duan të më asgjësojnë
Nga qelia numër 5 ku ndodhet prej 3 muajsh, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur për A2 CNN. Edhe pse ka më shumë se 90 ditë në qeli, Meta shprehet se ndjehet më i lirë se më parë dhe se e drejta për të do të triumfojë.
Fillimisht ai rrëfen sesi ka kaluar 3 muajt e arrestit në qeli. Ai thotë se edhe pse tashmë është duke jetuar në 12 metra katrorë ndjehet edhe më i lirë, ndërsa ngre akuza të forta për mënyrën e arrestimit ndaj tij.
“Unë nuk jam arrestuar, por siç e ka parë i gjithë opinioni publik, jam rrëmbyer nga banditë me maska, të paidentifikuar, pa asnjë urdhër-arresti dhe jam futur forcërisht në një makinë me targa private. Pra jam i rrëmbyer publikisht si askush në vendet e Këshillit të Europës apo të NATO- s.
Raste të tilla sigurisht ka patur në Bjellorusi, ku para pak ditësh, Lukashenko “triumfoi” për një mandat të 7 radhazi duke “garuar” me disa kandidatë kukulla tip 0.99 si këto partiçkat “opozitare” që krijon e rikrijon “ Rilindja “ këtu në çdo prag zgjedhjesh.
Edhe këtu meqenëse uzurpatori i gjithë pushteteve kërkon të “ fitojë” një mandat të katërt duke garuar me 0.99 e tij, urdhëroi rrëmbimin tim kriminal, siç urdhëroi arrestimin e z. Berisha para 14 muajve e së fundi edhe këtë masën absurde për paraqitjen e tij në SPAK- un që ka mbyllur hetimet.
Siç ka urdhëruar edhe burgosjen politike të Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Ervin Salianji, siç ka urdhëruar përndjekjen e Kryetarit të PR, z. Mediu, në kundërshtim me çdo parim të Shtetit të së Drejtës, siç ka urdhëruar publikisht dy ditë para zgjedhjeve vendore rrëmbimin e z. Fredi Beleri, e kështu me rradhë.
Unë vërtet jam i izoluar në mënyrë ekstreme dhe po kështu jetoj në 12 metra katrorë qeli, por ndjehem edhe më i lirë se më parë e po kështu plot besim se e drejta dhe e vërteta do të triumfojë mbi padrejtësinë e Ramaformës që kërkon mandat të përjetshëm duke asgjësuar pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira, për të garantuar pandëshkueshmërinë e “Kryetarit të Organizatës” dhe Narkoregjimit”, deklaron Ilir Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë është shprehur se po mbahet peng dhe është syrgjynosur për qëllime politike. Meta tha se i ashtuquajturi “Trekëndëshi i Nevadës”, Mckonigal-Rama-Dumani, po interesohet për asgjësimin e tij politik.
Ai shtoi se po takohej vetëm një herë në javë me familjarët e tij si të gjithë të paraburgosurit e tjerë dhe se nuk kishte asnjë ankesë në këtë drejtim.
“A kanë qënë të vështira kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët në PL?”, ka qenë pyetja drejtuar Metës.
“Unë takohem vetëm një herë në javë me familjarët e mi si të gjithë të paraburgosurit e tjerë dhe s’kam asnjë ankesë në këtë drejtim.
Por sigurisht që unë jam rrëmbyer këtu për të m’u pamundësuar ekstremisht mundësia e takimeve apo komunikimeve me bashkëpunëtorët e mi dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e Partisë së Lirisë.
Po kështu për të m’u pamundësuar edhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ju dhe të gjithë gazetarët, analistët dhe qytetarët.
Unë jam “syrgjynosur” këtu për të m’u pamundësuar jo vetëm mbrojtja në publik ndaj të gjitha pseudo-akuzave, por mbi të gjitha për të shpalosur programin e mrekullueshëm dhe konkret të Partisë së Lirisë të 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus.
Unë jam duke u mbajtur peng këtu sepse “Trekëndëshi i Nevadës”, Mckonigal-Rama-Dumani, duan të asgjesojnë totalisht bashkë me pluralizmin politik edhe sovranitetin e popullit shqiptar dhe çdo interes kombëtar të tij duke sorosifikuar çdo institucion të Shtetit dhe cdo qelizë të shoqërisë, përfshirë edhe shpërbërjen e familjes”, është shprehur Meta.