Ministri Balla në Elbasan takim me dyer të mbyllura me drejtuesit e policisë vendore: 2023 vit pozitiv
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me drejtuesit e policisë vendore në Elbasan në kuadër të analizës vjetore të institucionit të policisë.
Në prononcimin për median, Balla e cilësoi vitin 2023 si një vit pozitiv sa i takon Elbasanit. Gjithashtu ai theksoi se në vijim në fokus të policisë do të jenë siguria në shkolla dhe lufta ndaj lëndëve narkotike.
I pyetur në lidhje me krimet kibernetike, Balla tha se tashmë Shqipëria ka një strukturë edhe për këtë çështje. Ndërsa lidhur me ndryshimet e drejtuesve vendore, nënvizoi se kjo mbetet në varësi të performancës së tyre në detyrë.
Fjala e ministrit Balla për mediat: ‘Në tërësi, sikurse në të gjithë vendin, viti 2023 ka qenë një vit i suksesshëm në Policinë e Shtetit. Në të gjithë parametrat e sigurisë, viti 2023 mund të cilësohet si viti me nivelin më të mirë të sigurisë, po të kemi parasysh që viti 2023 ka qenë viti i një rekordi historik të numrit të të huajve që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë.
Janë mbi 10 milionë turistë të huaj dhe mos harroni që ky fluks turizmi ka sjellë një rritje të numrit të përdoruesve të rrugës. Bëhet fjalë për 3.6 milionë makina që kanë lëvizur në rrugët e Shqipërisë, duke sjellë edhe incidente rrugore.
Për këto kemi diskutuar edhe në analizën e policisë së Elbasanit, po të kemi parasysh që Elbasani mbetet një nyjë e rëndësishme e koridoreve rrugore që kalojnë këtu.
Po ashtu, kemi diskutuar për elementë të tjerë të luftës kundër krimit të organizuar ku u kam kërkuar, në mënyrë të veçantë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan në bashkëpunim me prokurorinë, duke përdorur edhe inteligjencën policore, të fokusohen tek gjetja e personave në kërkim.
Siç edhe e keni ndjekur, para disa ditësh, falë punës së lavdërueshme të Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të Britanisë së Madhe kemi gjetur dhe shumë shpejt do të ekstradojmë në Shqipëri një person i cili akuzohet për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur para 14 viteve.
Drejtori i Policisë së Elbasanit ka marrë porosi që të vazhdojnë të punojnë për zbulimin e të gjitha ato ngjarjeve kriminale të ndodhura para shumë viteve në Elbasan.
Fakti që gjatë vitit 2023 kemi pasur rënie nuk do të thotë që do të humbim vëmendjen për zbulimin e ngjarjeve të vjetra.
Tjetra ,lidhet me luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike, prodhimit dhe shpërndarjes së tyre sidmos tek shkollat.
Dua të garantoj qytetarët se Policia e Shtetit do të vazhdojë ta ketë në vëmendje të veçantë goditjen e çdo lloj forme të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Nuk duhet të harrojmë elementin tjetër, të krimeve ekonomike, ku kam qenë shumë i qartë për çështuje që lidhen me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit apo elementë të tjerë e po ashtu edhe krimet mjedisore të formave të ndryshme.
Elbasani është një model i bashkëveprimit të të gjitha agjencive ligjzbatuese me Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj forme tjetër të krimit.
Kemi një njësi të posaçme brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë përsa i përket Krimit Kibernetik, ndërkohë që sot me Drejtorin e Poërgjithshëm kemi diskutuar për të bashkuar forcat në funksion të hetimit të të gjitha formave të krimit kibernetik. Ai po shfaqet në shumë forma, njëra prej tyre është dhuna, bullizmi në rrjete sociale, jo vetëm ndaj të miturve, por ndaj të gjithë shoqërisë.
Për këtë qëllim, do të rrisim komunikimin tonë si Polici Shteti me shkollat, me të gjithë shoqërinë dhe po ashtu koordinimin me prokurorinë në mënyrë që të bllokojmë çdo lloj faqe që përbën problem.
Ndërkohë po hulumtojmë përgatitjen e një ligji të posaçëm për të rregulluar këtë problematikë që është shfaqur dhe që ka ankesa nga qytetarët.
Rasti i Durrësit, edhe pse hetimet çuan në një pistë tjetër, ishte një alarm dhe një rast që kërkon që ne të rrisim dhe të përmirësojmë kuadrin ligjor për t’u përballur me këtë fenomen.’
Pyetje: A do të ketë rrokadë drejtorësh pas analizave në rrethe?
Balla: ‘Ndryshimet tek ne janë të përditshme dhe këto ndryshime nuk bëhen me aksion kombëtar, as me fushata, por në varësi të realizimit të detyrave që ka çdo drejtor. Çdo drejtues i Policisë së Shtetit e di fare mirë kur duhet të ikë dhe kur duhet të qëndrojë.’