Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra zjarri mbeten aktive në vend, situata më kritike në Mallakastër

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 7 vijojnë të jenë aktive.
Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Situata më problematike mbetet në fshatrat Riban dhe Ngraçan të bashkisë Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe vijon puna intensive për të penguar përhapjen e tij drejt zonave të banuara. Në terren po operojnë forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor”.
Në zonën e Dajtit vijon ndërhyrja me forcat e MZSH-së, ADZM-së, 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Elbasan puna vazhdon në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri është përhapur në majën e malit, duke prekur një zonë të mbrojtur, por pa rrezikuar zonat e banuara.
Ministria njofton se zjarri në Penkovë të Selenicës është shuar plotësisht, pasi dogji rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të Skraparit situata është vënë nën kontroll.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.




